unë e vrava verën -LIBËR me kopertinë

(Alma Ibi Zekollari) #1

unë e vrava verën


Gjurmë në dëborë


Më besoni, unë asnjëherë nuk e kapa dot vërtetësinë e atij çasti.
Ishte një ditë e bukur me borë. Yjet-xixëllonja të dëborës atë ditë kishin
marrë kaq shumë dritë nga një diell i ftohtë.
Në ditë të tilla kujtoja ikjen, pritjen... Numëroja ditët...muajt.... Pa ty.
Kishin kaluar katër vjet në atë qytet të ftohtë e të bukur në dimër, të
qetë e romantik në verë. Nuk dija ku ishe, ku jetoje, nuk dija ëndrrat e tua.
Koha sikur ishte tkurrur brenda orëve, minutave, sekondave të saj. Dukej e
ngrirë, e palëvizshme, e murosur. Ishte mishëruar në trupin e një skulpture
me konture të shprishura nga vitet, mbi të cilën pluhuri i tymtë ka zbehur
freskinë e skalitjes.
Edhe pranvera e atij viti po vinte ngadalë, duke lënë një pjesë të
magjisë së saj gjatë rrugës, kushedi se ku. Jetonim fillim prilli, me borë.
Gonxhe të trembura bajamesh hapnin sytë e tyre të njomë, duke picërruar
qerpikët e bardhë në të ftohtën e harruar në ditët e pranverës. Ato prisnin
ngohtësinë e diellit. Kurse unë... Dhe unë prisja një rreze shprese bashkë
me to.

Free download pdf