unë e vrava verën -LIBËR me kopertinë

(Alma Ibi Zekollari) #1

Alma Ibi Zekollari


Vitet e studimeve po harroheshin. Më saktë entuziazmi, flakërimat që
përcjellin ëndrrat e asaj periudhe po zbeheshin. Tani që kujtoj në çaste
vetmie gjurmët e viteve të mia, e kuptoj sa shumë diell dhe dritë kanë ato
vite. Aq shumë, sa verbohesh dhe nuk shikon qartë, as bukurinë, as
lumturinë e papërsëritshme të tyre.
Jetoja me prindërit dhe motrën time më të vogël. Puna në fshat si
mësuese, në fillim më pëlqeu. Por, me kalimin e kohës, vetja më dukej si një
grua dhjetë - pesëmbëdhjetë vjet më e madhe, e martuar, me dy-tre fëmijë që
as nuk gjen, as nuk ka dëshirë të gjejë kohë për t‟ia kushtuar vetes. Nuk doja ta
besoja që, kaq shpejt, në jetën time do të futej monotonia e një jete të vakët
dhe të thatë. Hapa të ngadaltë, të përgjumshëm, pa asnjë jehonë. Ditët
akumulonin një absurditet të mbijetesës, duke arritur në çaste ekstreme të
ndrydhjes brenda vetes të mendimeve, dëshirave dhe shpresave. Pata frikë
nga ftohtësia që kishte filluar të më mbulonte. Me vete përsërisja shprehjen që
s'e kisha besuar kurrë „‟larg syrit, larg zemrës‟‟. Prita, e sigurt për shumë kohë,
diçka prej teje, pa guxuar ardhjen. Por asgjë. Boshllëku bëhej i padurueshëm.
Kisha nevojë të ndihesha e mrekulluar, duke jetuar çaste me ty. Por kjo
domosdoshmëri, pak nga pak, po më humbiste nga ëndrrat. Asnjë arsyeje nuk
doja t‟i besoja për mosardhjen tënde.
Krejtësisht e harruar në qetësinë e asaj dite pranvere – dimër, po ecja
për diku. Por ... o zot, ç‟të shihja!
Drejt meje hapa të njohur, një ritëm ecjeje – ëndërr. Dy sy, o zot, po
qeshnin drejt meje. Fytyrë e njohur, e njohur, e njohur.
Nuk ishte e vëtetë, jo, tashmë nuk ishte e vëtetë. Mbas kaq vite pritjeje...
Kaq kohë u mundova të shpëtoj nga kokëfortësia e të vërtetës së hidhur.
Dhe thurja ëndrra, ëndrra. Ëndrra që mbetën ëndrra. Shkatërrimi i tyre po
shkatërronte dhe shpirtin tim.

Free download pdf